Policia ka dhënë detaje lidhur me operacionun e zhvillar në Krujë ku u zbulua një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave.

Strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në bazë të informacioneve të disponuara nga këto struktura, se një shtetas kryente veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të kriptomonedhave, kanë mirorganizuar punën dhe kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Kriptomonedha”.

Si rezultat, në katin e parë të një objekti në pronësi të shtetasit S. D., i cili ia kishte lëshuar këtë ambient me qira një personi tjetër, shërbimet e Policisë konstatuan një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Shtetasi S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *