Kuvendi mblidhet për vettingun

Pak orë para seancës së jashtëzakonshme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00, kryeministri Rama, përmes një statusi në Facebook shkruan se me votimin në parlament të komisionit parlamentar ad hoc, nis rruga e zbatimit të ligjit të Vettingut. Duke iu referuar bojkotit të kuvendit nga opozita, kryeministri shprehet: “Mund ta bllokojnë përkohësisht, por s’do ta pengojnë dot popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë”.
Shumica do te tentoje ngritjen e komisionit për vetingun ndërsa opozita nuk do te jete ne salle. Komisioni përbëhet nga 6 anëtarë, ku tre i përkasin mazhorancës dhe tre të tjerë opozitës. Partia Socialiste përfaqësohet nga Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja. Ndërkohë që LSI, mësohet se do propozojë kreun e grupit të saj parlamentar, Luan Ramën. Opozita nga ana e saj ka e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjese në seancën plenare. Lidershipi demokrat më herët është shprehur se do të bëhet pjesë e procesit të ngritjes së komisionit të vettingut, vetëm pas një marrëveshjeje politike, e cila do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në seancën e pasdites, pritet që të hidhet për votim miratimi i projektvendimit në lidhje me procedurat mbi të cilat do të funksionojnë komisionet parlamentare dhe ngritja e komisionit të parë që do të bëjë vlerësimin e kandidatëve për Vettingun. Mazhoranca pritet të votojë tre kandidaturat e saj, ndërkohë që do të lëre të hapur procesin, deri në kthimin e opozitës në kuvend, për të vijuar me votimin e tre anëtarëve të saj.
Kjo seancë vjen pasi edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit përfundoi rivlerësimin e kandidateve, të cilët aplikuan për të qenë pjesë e organeve duke rekomanduar se 67 aplikantë janë te përshtatshëm për të realizuar procesin e Vettingun në Shqipëri.




