Kuvendi i është drejtuar me një kërkesë Presidencës për dhënie pëlqimi për hyrjen menjëherë në fuqi të projektligjit për eurobondin.

Por Ilir Meta nuk e ka dhënë pëlqimin. Ai ka argumentuar në përgjigje se nuk gjendet e argumentuar objektivisht e në terma konkretë nevoja dhe urgjenca që justifikojnë hyrjen menjëherë në fuqi të këtij akti, pas miratimit nga Kuvendi.

Sipas Metës, institucionet përkatëse duhet të ishin investuar në kohë për të arritur qëllimin e daljes me Eurobond gjatë muajit qershor të 2020.

“Ndërsa përfitimet nga ky përshpejtim nuk janë argumentuar plotësisht në kërkesë dhe as në relacionin shoqërues. Vonesa në parapërgatitjen e kësaj nisme tregon se çështjet financiare dhe të ekonomisë në tërësi nuk kanë patur vëmendjen e duhur në kohë nga qeveria. Në këto kushte, kërkesa për dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë, rezulton e pajustifikuar”, thuhet në përgjigjen e kreut të shtetit.  

Qeveria shqiptare synon t`i drejtohet për herë të katërt tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin eurobond, për të siguruar një eurobond deri në 650 milionë euro me maturim 7 deri 10 vite.

Kjo u diskutua të martën në Komisionin e Ekonomisë, i cili miratoi ligjin që i hap rrugë Ministrisë së Financave të finalizojë procesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *