Kryetari i PD, Sali Berisha, artikuloi akuza të ashpra ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila edhe dje nuk arriti të marrë një vendim nëse SPAK-u mund të pezullojë apo jo nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se Kushtetuesja është shndërruar në strehë ku mbrohen të korruptuarit.
“Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.”
Sipas Berishës, gjykata ka treguar në këtë çështje se zbaton urdhrat e kryeministrit.
“Se çfarë turp njerëzish përfaqësojnë. Është tjetër kur ti haptas merr anë dhe i del përpara të të shohin fytyrën. Kurse këta të pafytyrë marrin peng institucionin kryesor të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. Tjetri ngrihet si mi, një degjeneratë njerëzor si ai, nuk ka tjetër, dhe ikën nga takimi.”
Berisha komentoi edhe kërkesën e gjyqtarëve në Kushtetuese për rritjen e pagave. Berisha shpjegoi se në parim pagat janë kompetencë e qeverisë, por vuri në dukje se mazhoranca socialiste e ka bërë vetë ligjin në këtë mënyrë, dhe kërkesa e gjyqtarëve për të kërkuar rritje page është e drejtë.
“Kurse ky vetë ka votuar piramidën, vetë ka votuar në Kushtetutë ligjin. Ç’po kërkojnë Gjykata e Gjyqtarëve? Të zbatojnë ligjin. Prandaj dhe unë nuk do isha kurrë në mbështetje të tyre po të mos ishte kjo. Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor.”
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, në këtë situatë ku ndodhet vendi, me një Gjykatë Kushtetuese që nuk merr dot vendim për përplasjen mes SPAK-ut dhe kryeministrit Edi Rama, rruga e vetme janë protestat, pa përjashtuar skenarin për protestë të qëndrueshme.
/vizionplus.tv





