Subscribe

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj sqaroi sot vendimin që la në fuqi marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

Gjatë një konference me gazetarët kryegjyqtarja theksoi se ende po punohet për vendimin e arsyetuar, publikimi i të cilit i hap rrugë votimit në parlament të kësaj marrëveshje.

Kryetarja e kushtetueses përsëriti se mbi dy zonat ku do të hyjnë dhe qëndrojnë emigrantet vepron edhe ligji shqiptar dhe ai italian.

“Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet”, tha Zaçaj.

Zaçaj përsëriti apelin që vendimet e Gjykatës Kushtetuese teë zbatohen. Duke iu referuar vendimit të gjykatës që parlamenti të miratojë një ligj për votën e emigrantëve dhe të dërgojë në Kushtetuese çështjen e mandatit të socialistes Olta Xhaçka, kryetarja e gjykatës pranoi se nuk ka mekanizëm për të kontrolluar zbatimin e vendimeve.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”, tha Zaçaj.

Kryetarja e gjykatës sqaroi edhe projektligjin e qeverisë që e bën rrogën e saj 7.7 milionë lekë, në një kohë që presidenti e ka 4 milionë.

“Shifrat nuk i kemi njohur dhe prodhuar ne.”

Sipas kryetares Holta Zaçaj, e vetmja gjë që kërkoi Gjykata Kushtetuese ishte vendosja e pagës së gjyqtarëve në vendin e duhur në raport me institucionet e tjera.

Gjykata Kushtetuese prej momentit që u plotësua me 9 anëtarë është shndërruar në institucionin ku është përplasur çdo mosmarrëveshje politike dhe rritja e pagës në këtë nivel u interpretua nga opozita si tentative e qeverisë për të blerë anëtarët e gjykatës./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *