Subscribe

Studentët e mjekësisë do të kenë të garantuar punësimin menjëherë pas diplomimit, përfitojnë nga politikat e strehimit social dhe koha e specializimit afatgjatë iu llogaritet vite pune.

 

Këto janë përfitimet kryesore për të gjithë ata që do të pranojnë një marrëveshje me shtetin, sipas projektligjit që po shqyrtohet në kuvend me procedurë të përshpejtuar.

 

Në komisionin e ligjeve dhe atë të edukimit, ministrja e Arsimit dhe sportit, Evis Kushi, parashtroi si argument kryesor interesin publik, i cili duhet të marrë prioritet përballë interesit të një grupi të kufizuar njerëzish.

 

EVIS KUSHI

MINISTRE E ARSIMIT DHE SPORTIT

 

“Ne jemi të detyruar të sigurojmë shërbim shëndetësor për të gjithë popullatën dhe gjendemi në një situatë që do të bëhet emergjente pas disa vitesh. Prandaj duhet të marrim masa dhe ti paraprijmë kësaj situate.”

 

Krahas debateve mbi paligjshmërinë e këtij projektligji, i cili konsiderohet diskriminues nga opozita, mori vëmendje edhe refuzimi i kërkesës së një përfaqësie studentësh për t’u dëgjuar.

 

ERISA XHIXHO

DEPUTETE E PL

 

“Tani u kujtua kjo qeveri që po i ikin mjekët dhe kategori të tjera të popullsisë dhe merr vendime të përshpejtuara ndërkohë që këta studentë janë elitë intelektuale. Për më tepër i mohojmë edhe të drejtën për tu dëgjuar ndërsa për ta merren vendime skandaloze dhe diskriminuese.”

 

E ndërsa zhvillohej diskutimi në të dy komisionet respektive, një grup studentësh pritën në dyert e kryesisë së kuvendit, por nuk u dëgjuan.

 

 

ZINO VELESHNJA

STUDENT I MJEKESISE

 

“Ne nuk po kërkojmë privilegje por kemi të drejtën kushtetuese që të dëgjohemi në komisionet e kuvendit, si palë interesi. Nuk mund të merren vendime për ne ndërkohë që nuk na llogarisin.”

 

Paraditen e kësaj të enjteje, studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar se do të protestojnë përpara parlamentit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *