20 nga 33 masat e lëshuara të martën për mbetjet toksike të KURUM janë ekzekutuar.
Policia e Durrësit dështoi të arrestojë 13 persona, mes të cilëve 5 përfaqësuesit e shoqërisë KURUM dhe pronaren e kompanisë Sokolaj që kishte blerë mbetjet për t’i tregtuar në Tajlandë.
Nga dosja hetimore del se të dyja shoqëritë kishin paraprakisht informacion se natyra e mbetjeve ishte e rrezikshme, në shkelje të çdo legjislacioni, atij kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prokuroria Durrës: Provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. është në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.
Kështu, nga mostrat e marra në 11 prej 102 kontenierëve të sekuestruar me mbetje, organi i akuzës pas ekspertizës zbuloi praninë shumë të lartë të oksidit të zinkut, hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër e shumë metale të tjera helmuese që shkaktojnë kancer.
Prokuroria Durrës: Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut. Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.
Kontejnerët me 2800 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.
Kontejnerët me mbetjet e rrezikshme po mbahen të sekuestruara në një fushë të hapur në Porto Romano të Durrësit.





