Kurti: SHBA, partneri ynë kyç! Kryeministri në detyrë mohon të ketë përplasje me Uashingtonin

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar në një intervistë se marrëdhëniet me SHBA-të kanë qenë gjithmonë të mira dhe mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
Duke folur për mospajtimet me Uashingtonin, Kurti ka thënë se ka pasur raste kur Shtetet e Bashkuara kanë konsideruar që qëndrimi i tij karshi Serbisë ka qenë shumë rigoroz.
“Unë nuk mund të pres nga SHBA-ja që ta ketë qëndrimin për Serbinë si e ka Kosova. SHBA-ja e ka njohur Serbinë, e ka njohur edhe Kosovën, janë miq e aleatë tanë. Madje janë aleati i pazëvendësueshëm dhe partneri kyç i yni, janë edhe miku ynë special”, tha Kurti.
I pyetur nëse do të mund të shmangej pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës, Kurti ka insistuar se marrëdhëniet mes dy palëve janë shumë të mira dhe janë të shtrira në tri dimensione: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje.
“Kurrë nuk kanë qenë, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, marrëdhëniet më të mira sesa tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi kulmin. Si shtet i pavarur e kemi kulmin sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Kurti.
Në lidhje me mos certifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja në zgjedhjet që pritet të mbahen më 28 dhjetor, Kurti u përgjigj:
“Unë besoj që do të duhej edhe sistemi i drejtësisë prej prokurorëve që ja heqin urdhërarrestin Milan Radojcicit, gjyqtarët që përkundër KQZ-së që nuk e certifikon Listën Serbe, ata e bëjnë certifikimin ta japin përgjigjen e tyre. Une besoj se në Kosovë shumë më i mirë është ekzekutivi se sa sistemi i drejtësisë”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet prej vitit 2011. Palët kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.Përparimi në këtë proces është kyç për aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian./vizionplus.tv




