Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

 

 

Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se për mospagesën e faturave në veri nuk kanë faj serbët që jetojnë atje, por ai për këtë fajësoi “strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia”.

 

 

“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, shkroi Kurti.

 

 

Sipas tij, 320 milionë euro janë humbur nga faturat e papaguara të rrymës dhe 17 milionë të tjera nga ato të ujit.

 

 

Megjithatë, Kurti tha se nëse do të paguheshin këto fatura, atëherë institucionet qendrore do të mund të bënin më shumë investime në këtë pjesë, që sipas tij do të përmirësonin kualitetin e shërbimeve për qytetarët.

 

 

“Ata [qytetarët] kanë të drejtë të kenë qasje në shërbime të tilla dhe të jetojë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat ilegale, që udhëhiqen nga Serbia. Qeveria ime është e përkushtuar që të përmirësojë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe t’u ofrojë atyre lirinë dhe sigurinë që e meritojnë”, shkroi Kurti.

 

 

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

 

 

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2013 kanë arritur Marrëveshje për energjinë, që synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të banuar me shumicë serbe.

 

 

Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, përmes një udhërrëfyesi për energjinë.

 

 

Megjithatë, as ky udhërrëfyes nuk është zbatuar dhe gjatë vitit të kaluar, BE-ja ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *