Pesëshja diplomatike perëndimore që u prit në Prishtinë nga kryeministri i Kosovsë, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën pas një takimi me pesë diplomatët perëndimorë se për vendin e tij çështja më urgjente është siguria e shtetit të qytetarëve.

Paraprakisht të shtunën pas takimit në Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili i priu pesësh diplomatike, tha se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Çfarë tha Lajçak për normalizimin e marrëdhënieve dhe dialogun?

Lajçak tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.

Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Çfarë tha Kurti?

Kurti theksoi, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me dialogun, kryeministri kosovar theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.

Pas vizitës në Prishtinë, diplomatët do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku do të takohen me presidentin serb Aleksandar Vuçiq rreth orës 14:00.

Para takimeve, burimet diplomatike në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *