Subscribe

Opozita kosovare vijon të ruajë një linjë të ashpër kundër qëndrimit të Shqipërisë ndaj Beogradit, duke argumentuar se kjo është origjina e të gjitha mosmarrëveshjeve mes dy shteteve. Në këtë kontekst, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe veçanërisht kuvendit të Shqipërisë, që të miratojë rezolutën për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë.

 

ALBIN KURTI

ISH-KRYEMINISTER I KOSOVES

“Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë luksin por as të drejtën që të dallojnë sa i përket Beogradit, mendoj se mospajtimet tona e kanë këtu origjinën, qëndrimet e ndryshme për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë ti lokalizojë në figurën e Millosheviçit, kjo është e padrejtë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Prandaj i bëj thirrje kryeministrit Edi Rama por edhe kuvendit që ashtu sic e ka miratuar kuvendi i Kosovës rezolutën, ta bëjë edhe Kuvendi i Shqipërisë.”

 

Në një kohë kur ish krerët e UÇK-së vijojnë përballjen në gjykatën e Hagës, Albin Kurti nënvizon se qeveria duhet të angazhohet për mbrojtjen dhe përfaqësimin e tyre. Por së pari vendi sipas tij duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për një qeveri legjitime.

 

“Kosova po paguan çmimin e gabimeve politike, nuk ka patur struktura të tjera paralele, nuk po gjykohen vetëm individët, nevojitet bashkërendimi nga shteti, UÇK ka qenë e të gjithëve prandaj që të gjithë duhet ta mbrojnë atë. Punë qeverie, të angazhohet qeveria për sintezën e mbrojtjes dhe përfaqësimit. Në këtë kohë të vështirë Kosova ka një qeveri të paligjshme që është varur nga vota e deputetëve serbë dhe nuk garanton më shumicën në kuvend. Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri, qeveria jo legjitime, zgjedhjet të mbahen sa më parë.”

 

Ish-kryeministri Albin Kurti është shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015. Atë kohë qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *