Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është bashkuar udhëheqësve të tjerë botërorë, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Thirrja e Kurtit vjen një ditë pasi nënpresidetja amerikane, Kamala Harris, kërkoi që Izraeli dhe Hamasi të arrinin një armëpushim dhe që Izraeli të gjente mënyra që do të mundësonin dërgimin e më shumë ndihmave në Rripin e Gazës.

“I bashkohen nënpresidentes amerikane, Kamala Harris, dhe udhëheqësve të tjerë botërorë në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare. Vdekjet e civilëve dhe vuajtjet në këto muaj që nga sulmi terrorist i Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Twitter.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pas sulmit vdekjeprurës të kryer nga ekstremistët palestinezë në jug të Izraelit, ku vranë 1.200 persona dhe rrëmbyen 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore dhe ajrore, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 30.000 persona në Gazën prej 2.3 milionë banorëve.

Pas nisjes së luftës, Kurti kishte shprehur shqetësim për, siç kishte thënë, krimet kundër civilëve nga Hamasinë Izrael.

Numri dy i SHBA-së, shtetit aleat të Izraelit, po ashtu tha një ditë më herët se njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.

Uashingtoni ka insistuar që një armëpushim të hyjë në fuqi në nisje të Ramazanit, që fillon javën e ardhshme.

Një armëpushim i tillë do të zgjaste gjashtë javë, pas një armëpushimi më të shkurtër prej një jave të arritur në nëntor. Dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi, do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *