Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka bërë sërish thirrje që të kryhen sa më shumë testime, pasi vetëm kështu mund të frenohen rastet e konfirmuara pozitive me COVID-19.

Në një deklaratë për mediat, Vasili thekson se refuzon që qytetarët shqiptarë të trajtohen si indianët dikur të Amerikës, për të cilët thotë se kolonizatorët i gënjenin duke i dhënë “copa xhami e duke i marrë flori”.

“Të nderuar qytetarë! Ne sigurisht kemi repsekt për çdo llojë deklarate që do të vinte bazuar në të dhëna shkencore dhe teknike, por unë në emër të të gjithë shqiptarëve po them refuzojmë dhe çdo shqiptar refuzon që të trajtohet si indianët dikur të Amerikës, të cilët kolonizatorët i gënjenin duke i dhënë copa xhami e duke I marrë flori. 18 000 vdekje për popullsinë 2.8 milion banorë të Shqipërisë do të thotë të nderuar qytetarë që të kishim 4 herë më shumë vdekje sesa Kina, e cila është rreth 500 herë më e madhe sesa Shqipëria. Pra Kryeminsitri thotë që Shqipëria me 2.8 milion do të kishtë vdekje 4 herë më shumë se Kina që është 500 herë më e madhe se sa Shqipëria. Asnjë shifër e asnjë vendi të prekur, gjëkundi, në asnjë mundësi teknike nuk mund të mbështeste, pikërisht një turp të tillë të nxjerrë nga goja e kryeministrit. Prandaj ne jemi këtu për t’i thënë kryeministrit që: “Merr masat. Bëji testimet”.

Vasili shton se testimet masive do të krijonin idenë se çfarë kurbe kemi, nëse po dalim apo po presim të dalim nga pandemia. Sipas tij, këto orientojnë edhe skenarët se si do të trajtohen ekonomitë, si dilet nga izolimi dhe pergatitjet për rifutjen në jetë normale.
 

“Të nderuar qytetarë ju keni dëgjuar që gati 2 javë e ca përpara patëm 26,27,28 raste ndërkohë që kemi një periudhë të qëndrueshme deklaronin autoritetet po ja pra u shfaqën para dy ditësh 24 raste, serish 21 raste dhe kurba e dhëmbëzuar, e veçantë, e padëgjuar e Shqipërisë po çudit dynjanë. Ky është një turp të nderuar qytetarë, nuk mund të gënjëhen shqiptarët në këtë mënyrë. Testimet masive do të krijonin idenë se çfarë kurbe kemi, vazhdojmë ngjitemi, kemi ndalur, jemi në periudhën e sheshtë, po dalim a po presim të dalim nga pandemia. Këto sigurisht orientojnë edhe skenarët pra mënyrën se si do të trajtohen ekonomitë, si dilet nga izolimi dhe si pergatitemi për rifutjen në jetë normale dhe për të rimarrë ato ritme e për të shpëtuar ekonominë e cila po rrënohet.”

Po ashtu, ish-deputeti deklaron se masat kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19 nuk u morën në kohë. Ai shtoi se nëse do të ishin bërë testime në mënyrë të veçantë në qytetet që ishin dhe zona me hyrje-dalje kufitare, do të kishim një situatë në dorë.

“Pra, hynin qindra njerëz, pra lejoheshin tragetet të hynin, por çfarë kufizimi ishte kjo? Ç’masë në kohë ishte kjo? Të gjitha këto masa nuk krijuar asgjë tjetër, por vetëm dendësinë e qytetarëve, mundësinë e përhapjes së pandemisë dhe shfaqjen e vatrave që vazhdojnë të shfaqen nëpër Shqipëri, siç kishim Krujën, siç u shfaq papritmas Mallakastra, doli Kukësi, pse? Sepse po të kishim bërë testim në mënyrë të veçantë në qytetet që ishin dhe zona me hyrje-dalje kufitare do të kishim një situatë në dorë, do të dinim ku po shkojmë dhe nuk do merreshim me parashikime që u kanë hije fallxhoreve dhe jo instrumentave qeveritare, as qeverisë, as kryeministrit dhe as njerëzve të caktuar”, tha Vasili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *