E enjte, 24 Shtator 2026 Film TV deri në 06:00 Në vijim ora 06:00: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kulturë

Kujtohet 55 vjetori i fillimit të publikimit të gazetës “Studenti”

Një takim gjeneratash, gazetarësh dhe krijuesish, të cilët kanë bashkëpunuar në vite me gazetën “Studenti”, është zhvilluar sot mbasdite (30.03.2022) në Tiranë.

 

Gazeta “Studenti” ka qenë pjesë e tregut mediatik shqiptar nga viti 1967 deri në vitin 1994, duke qenë zëri dhe hapësira e atyre që ndiqnin studimet, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por dhe në institucione të arsimit të lartë në kryeqytet e në qytete të tjera të vendit. “Studenti” kujtohet si media ku hodhën hapat e parë në publicistikë e krijimtari letrare nga shumë të rinj që kanë ndjekur studimet dhe më pas u bënë ndër emrat e njohur publikë në gazetari apo fusha të tjera.

Një ekspozitë e pamore në mjediset ku u zhvillua eventi ishte si një ditar retrospektiv i zhvillimeve në infrastrukturën universitare të Shqipërisë, si pasqyrim dhe reflektim i ngjarjeve më të bujshme, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me ndryshimet historike në tërë shoqërinë shqiptare. Fillimi i zhvillimeve demokratike në Shqipëri dha impakt të drejtpërdrejt në të gjithë shoqërinë. Kjo ishte padyshim dhe një frymëmarrje më e madhe për gazetën “Studenti”, e cila vijonte punën e vet në kushtet e lirisë së shprehjes dhe mendimit, në rrethanat e garancisë për plularizëm politik.

Reklamë

Forumi i diskutimit mes pjesëmarrësve nuk u foksua vetëm te ecuria e gazetës “Studenti”, por dhe tek situata aktuale e anagzhimit të studentëve në media. Veçanësisht roli dhe ndikimi i mediave studentore në problematikat që hasen, si dhe në nxitjen e aktivizmit të të rinjve, për të qenë më proaktivë në vendimarrje.

 

Nga të pranishmit studentë u përmend rëndësia e organizimit dhe fuqizimit të mediave studentore, për të qenë sa më efikase në prezantimin e propozimeve dhe pikëpamjeve të tyre, për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, në përmirësimin e jetesës, por dhe në favor të zhvillimit të kushteve për aktivitetet shkencore dhe inovative.

Vazhdo të lexosh

Reklamë