Në 12 tetor është njoftuar se do të nisë zbatimin periudha tranzitore 6-mujore e sistemit të hyrje –daljeve në zonën shengen. Ky sistem i ri europian ka disa qëllime, ku më kryesori është regjistrimi i çdo shtetasi që nuk është qytetar i BE-së teksa hyn në vendet e unionit. Do të nevojitet të dhënat biometrike për çdo qytetar.

Por cili është qëllimi i këtij sistemi dhe rregullave të reja?
“Qëllimi është një menaxhim më i mirë i kufijve, i cili ka në fokus minimizimin e kalimeve të paligjshme dhe emigracionit ilegal. Ky sistem nis zbatimin në tetor dhe deri në mars 2026 do të jetë një periudhë tranzitore për të nisur zbatimin në prill 2026”, tha Amarlida Nakuçi, përfaqësuese e Autoriteti Aviacionit Civil.
Për çdo qytetar që niset nga aeroporti i Rinasit nuk do të ndryshojë asnjë rregull. Por në momentin që do të mbërrini në aeroportin pritës, pjesë të vendeve të zonës shengen, secili do t’i japë shenjat e gishtave, imazhin e fytyrës, do të regjistrohen datat e hyrje-daljeve. Kjo procedurë si fillim parashikon të krijojë radhë deri në daljen nga aeroporti.
“Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes, të respektojnë ditët e tyre të qëndrimin në zonën shengen. Ky sistem do të ofrojë në kohë reale sa ditë ka qëndruar individi gjatë një viti në BE. Cilido që shkel afatet e përcaktuara do të behët subjekt i penalizimit”, sqaroi Nakuçi në emisioni “E-ZONE”.
Të dhënat që do të regjistrohen do të ruhen për një afat 3-5 vite. Më pas ata që do të kenë ndryshime në të dhënat e tyre do të riregjistrohen, për shembull ata që mund të pajisen me vizë. Nuk preken nga këto rregulla ata që kanë një vizë afatgjatë qëndrimi apo dhe ata që janë me leje qëndrimi në një nga vendet e zonës shengen./vizionplus.tv





