Ministrja për Europën dhe punët e jashtme, Olta Xhaçka, shpjegoi se para se Shqipëria e Greqia të shkojnë në Hagë, qeveria do të kërkojë autorizimin e presidentit Bajram Begaj për grupin negociator për përcaktimin e kufirit detar.
Gjatë një konference me gazetarët, Xhaçka theksoi se Tirana dhe Athina zyrtare po punojnë për të zgjidhur jo vetëm problemin e delimitimit të zonave detare, por edhe problemin e ligjit të luftës, i cili është në fuqi prej vitit 1940.
OLTA XHAÇKA
MINISTRE PER EUROPEN DHE PUNET E JASHTME
“Të dyja palët kanë vullnetin dhe kanë rënë dakord që të gjejnë një kompromis për ta referuar cështjen ne gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Sigurisht ne nje moment do të duhet që të kërkojmë plotfuqinë ë Presidentit dhe autorizimin e tij për tu ulur në një tryezë teknike dhe për të diskutuar kompromisin që do ti hapë rrugë referimit të cështjes në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Në këtë moment që flasim jemi ne fazen e punes teknike me një grup të gjerë institucional per tu pergatitur per kete negociate.”
Shefja e diplomacisë shqiptare shpjegoi pse për herë të parë, ministria që ajo drejton vendosi të reagojë publikisht për përfundimin e mandatit të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“Ne nuk kemi komentuar në asnjë moment as procedurat e SHBA, as kandidatët e SHBA, sepse ne jemi vendi pritës, nuk është për ne për ti diskutuar. Thjehst I kemi vënë kapak disa thashethemeve, disa aludimeve të shëmtuar që I bëheshin këtij procesi, duke thënë që po, procesi ka nisur po këtu nuk ka asnjë gjë të jashtëzakonshme dhe nuk ka gisht askush përvec vendit I cili ka të drejtën të ripërtërijë trupën e vet diplomatike sipas afateve, rregullave të tyre. “
Por si deputete e Partisë Socialiste në 18 janar, Olta Xhaçka do të përballet me opozitën në gjykatën kushtetuese, për fatin e mandatit të saj.
“Do ju thosha të prisni me durim ashtu siç po pres edhe unë pasi nuk kam shkelur asnjë ligj dhe nuk kam kaluar asnjë normë etike dhe morale.”
Sipas Partisë Demokratike, në momentin që bashkëshorti i ministres së jashtme ka marrë statusin e investitorit strategjik, vetë Olta Xhaçka ka përfituar nga pasuritë publike e për këtë duhet t’i hiqet mandati.
Në 18 janar gjykata do të dëgjojë argumentet e palëve dhe brenda një muaji kushtetuesja do të thotë fjalën e fundit për ministren, njëherësh deputeten e PS, Olta Xhaçka.