Subscribe

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me vendimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për të mos pranuar aktet e dosjes “184” mbi dyshimet për shit-blerjen e votës në Dibër.

Alibeaj akuzoi drejtorin e kësaj strukture, Arben Krajën se është emëruar në krye të SPAK-ut për t’i ndëshkuar politikanët që janë në pushtet, e jo për t’i mbrojtur.

Sipas tij, vendimi për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, kryeministrit Edi Rama.

 

“Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata. Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysëm më parë. Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes 184 dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi. Ky është një nga ato vendime që minojnë besimin e opinionit publik tek reforma në drejtësi, për të cilën janë hedhur miliona euro dhe dollarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve në nivele të larta.”

 

Ndër të tjera, Alibeaj deklaroi se vendimi për të mos hetuar Edi Ramën në dosjen “184”, Arben Kraja minoi besimin te SPAK dhe rrezikon ta kthejë atë në shtojcë të PS-së.

 

“Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Juridikisht, nuk ka asnjë dilemë që Arben Kraja mashtron për llogari të Edi Ramës, kur thotë se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar Edi Ramën. Prokuroria e Posaçme u ngrit për një qëllim të vetëm – të çojë para drejtësisë politikanët që shkelin ligjin.

 Politikisht, Partia Demokratike shpreh keqardhjen që, për shkak të drejtuesit të saj, shërbëtor të Edi Ramës, SPAK-u ka marrë një goditje të rëndë në imazhin si organ i pavarur”.

 

Të hënën, SPAK vendosi që dosjen e hetimit mbi shitjen dhe blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme ne 2016 t’ia rikthejë Prokurorisë së Dibrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *