“Kthehuni andej nga keni ardhur” – Legjenda e futbollit francez ‘shpërthen’ kundër protestuesve të dhunshëm që po djegin Francën

Legjenda e futbollit francez, Emmanuel Petit, ka reaguar ashpër pas akteve të dhunës dhe trazirave që përfshinë disa qytete të Francës gjatë protestave të 17 tetorit.
Ish-mesfushori i Francës, kampion bote në vitin 1998 dhe kampion Europe në vitin 2000, ka shprehur zemërimin për shkatërrimet, grabitjet dhe sulmet e regjistruara gjatë përplasjeve.
Petit kritikoi personat që, sipas tij, shfrytëzuan protestat për të kryer akte vandalizmi, duke theksuar se dhuna nuk duhet të ngatërrohet me protestën paqësore të qytetarëve kundër kostos së lartë të jetesës.
Ish-futbollisti përdori edhe tone të ashpra ndaj personave që, sipas tij, nuk respektojnë vendin ku jetojnë.
“Unë e dua vendin tim. Dua edhe të gjithë të huajt që e duan vendin tim dhe që dëshirojnë të integrohen. Por të gjithë të tjerët, duke nisur nga francezët që nuk duan që Franca të mbetet ajo që është, kthehuni nga keni ardhur. Nuk kemi nevojë për ju”, deklaroi Petit.
Ai shprehu gjithashtu solidaritet me qytetarët që kanë pësuar dëme nga trazirat dhe me forcat e rendit, ndërsa kritikoi edhe klasën politike franceze për mënyrën se si po menaxhon situatën.
Petit ngriti shqetësime për mungesën e fondeve për policinë, ushtrinë, spitalet dhe shkollat, duke akuzuar politikanët se nuk po u japin zgjidhje problemeve të qytetarëve.




