Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku, të martën do të dalë para para komisionit të Vettingut.

 

Pritet që kryeprokurorja Marku të njihet me rezultatet e verifikimit të saj, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

 

Trupa gjykuese që po shqyrton dokumentacionin e zonjës Marku përbëhet nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

 

Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN bëhet e ditur se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Marku nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003 viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë.

 

Ndërkohë në në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Markut kap vlerën e 5.4 milionë lekëve. Pjesa kryesore në ndryshimin e pasurisë përbëhet nga një apartament me sipërfaqe 103 metër katrorë në qytetin e Shkodrës, i blerë së bashku me bashkëshortin për 5 milionë lekë në vitin 2006.

 

Sipas deklarimeve burimi i kësaj pasurie, është një kredi bankare me vlerë 6.7 milionë lekëve. Përveç kredisë për shtëpinë, Marku ka marrë edhe kredi konsumatore përgjatë viteve dhe një pjesë e kursimeve familjare kanë shkuar për shlyerjen e tyre. Në fund të vitit 2017, ajo zotëronte gjithashtu 450 mijë lekë kursime në cash.

 

Për vitet 2003-2017, të ardhurat e familjes Marku që përbëhen kryesisht nga të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, kapin në total vlerën e 25.6 milionë lekëve. Gjithashtu ajo ka deklaruar të ardhura nga mësimdhënia në masën 1.3 për qind si dhe nga dietat rreth 1.5 për qind.

 

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Në varësi të verifikimeve deri më tani nga deklarata e pasurisë së prokurores Marku nuk është vënë re asnjë diferencë e pajustifikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *