Subscribe

Kryeministri Rama kërkoi serish bashkëpunimin me opozitën për zgjedhjen e Prokurorit të përkohshëm të Përgjithshëm. Kreu i qeverisë tha se kërkon të përsërisë dakordësinë e 18 majit, me qëllim kapërcimin e këtij momenti të rëndësishëm.

 

 “Nuk zgjodhëm procesin e ngushtë duke mbledhur firma e përcaktuar kandidatë siç mund ta bënim, por zgjodhëm një proces që i japim mundësi opozitës që të futet në proces.”

 

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama kërkoi mirëkuptimin e pakicës jo për shkak të pamundësisë së numrave në Parlament, apo boshllëkut ligjor, pasi këto flasin në favor të mazhorancës.

 

 “Nuk do rresht së ftuari opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi, sepse avazi nuk mund të nisë nga e para, që jo vetëm ne, por edhe SHBA dhe BE të mos e lexojnë mirë ligjin, por vetëm opozita ta lexojë.”

 

Kryeministri tha se në takimet e javës së shkuar në Bruksel mori mesazhe të qarta për mundësinë e artë të çeljes së negociatave për anëtarësim në 6-mujorin e parë të vitit 2018. Porse bashkëpunimin me opozitën e shikon si moment kyç në proces.

 

“I lutem shumë Lulzim Bashës ta dëgjojë mirë këtë mesazh dhe të marrë të gjithë përgjegjësinë e udhëheqjes në drejtimin e duhur për çeljen e negociatave për anëtarësim, që është një proces i gjatë.”

 

Afati për dorëzimin në Kuvend të kandidaturave për postin e kryeprokurorit përfundon pasditen e datës 12 dhjetor. Më pas kandidatët do të zhvillojnë seanca dëgjimore dhe të gjithë ata që plotësojnë kriteret kalojnë për votim në Parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *