Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, hodhi poshtë të enjten çdo mundësi për përfshirje të tij në ndonjë rast të krimit të organizuar, ndërsa u zotua se do të japë dorëheqje nëse një gjë e tillë del e vërtetë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, pas lakimit të emrit të tij në një video-regjistrim të publikuar në mediat vendase, ku shihen disa persona te numëronin para që dyshohen të jenë pjesë e mashtrimeve dhe krimit të organizuar.

Videoregjistrimi u publikua pas një operacioni të policisë së Kosovës në fillim të kësaj jave për arrestimin e një grupi të dyshuar për vepra kriminale dhe fajde.

Sipas policisë, personat e arrestuar nën dyshimet pë veprat penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, në mënyrë të paligjshme kanë përfituar mbi 2 milionë euro.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se nuk ka të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast. Ai thotë se ky është një rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit.

Dua t’iu siguroj se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes sime në këtë aferë unë nga sot deklaroj që do të jap dorëheqje, ky është morali im, ky është besimi im jetësor, kjo është politika ime. E them me siguri të plotë që emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dal e vërteta e kësaj atëherë dikush duhet të jap llogari penale dhe institucionale, pavarësisht a janë pjesë e policisë apo e sistemit të drejtësisë ose të politikës”, tha zoti Veseli.

Zoti Veseli tha se njerëzit që shihen në videon e publikuar nuk i njeh, ndërsa nënvizoi se ky rast kërkon sqarime që lidhen me funksionimin e organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar që paska pasur fakte në vitin 2013 të ndërmerren veprime me gjashtë vjet vonesë. Kush është ai, ajo ose ata që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar më shumë se gjashtë vjet, kujt dhe për çfarë llogarie iu paska dashtë kjo vonesë që ka mundësuar edhe mbulimin dhe mos dënimin e veprave penale”, tha zoti Veseli, duke këkruar veprime institucionale për siç tha rastin e fshehur për shumë vjet.

Videoja shpërfaq krimin në mënyrë të hapur, të qartë për secilin qytetarë e lëre më për organet tona të drejtësisë. Këtu kemi të bëjmë me dy krime, me krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur dhe mos të dënohet është krimi më i madh. Pa asnjë dyshim shihet qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe po ju siguroj që kësaj pune do t’i shkohet deri në fund”, tha zoti Veseli.

Videoja e publikuar ngjalli reagime ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkoi dorëheqjen e Kadri Veselit në mënyrë që t’u hapet rrugë hetimeve.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se “e gjithë Kosova, e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’u hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet në komunikatë.

Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë vazhdimisht nga zoti Veseli./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *