Kryeministri Rama tjetër reagim për protestën, mesazh bizneseve të dëmtuara: Do të jemi bashkë sapo të kalojë kjo flamë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të prmteje për protestat e dhunshme në Tiranë, duke u shprehur se sipërmarrësit e vegjël që janë prekur nga aktet e dhunës nuk do të lihen vetëm dhe se qeveria do të jetë pranë tyre pasi situata të qetësohet.
Rama u shpreh se Shqipëria ka përballuar edhe fatkeqësi të mëdha, si tërmeti, duke theksuar se përmes bashkëpunimit është arritur të ndihmohen qytetarët që humbën banesat e tyre.
Kreu i qeverisë vuri në pikëpyetje përfshirjen e studentëve në protestë, duke deklaruar se dhuna e shkatërrimet nuk lidhen me shqetësimet dhe problematikat e tyre.
Sipas Ramës, ajo që po ndodh në kryeqytet nuk është një protestë studentore, por një situatë që ai e cilësoi si pengmarrje të qytetit nga persona të maskuar.
Kryeministri akuzoi gjithashtu forca të caktuara se qëndrojnë pas dhunës, duke pretenduar se bëhet fjalë për të njëjtën dorë që, sipas tij, ka ndikuar dhe dëmtuar opozitën shqiptare dhe vendin.
Kryeministri Edi Rama: Dua t’u them të gjithëve atyre që janë me lot në sy përpara ngjarjeve të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm. Sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi aty, bashkë me ta.
Dua t’u them se kemi përballuar një tërmet të hatashëm, me pasoja, ruajna Zot, ku e ku më të mëdha, dhe ia dolëm së bashku. Sot, ata që humbën shtëpitë në 30 sekonda, jetojnë në shtëpi më të mira dhe më të forta.
Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre pjesë e kësaj gremine?
Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë me hallet dhe problemet e qytetarëve.
E gjithë kjo është po ajo dorë që e ka kapur prej fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur e shkatërruar jo vetëm njëherë Shqipërinë.




