Është mbledhur Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, pas paralajmërimit të bërë nga kryeministri Edi Rama për depozitimin e një nisme ligjore lidhur me masën e pezullimit nga detyra të zyrtarëve të lartë.
I pari që e mori fjalën ishte Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve.
Manja paraqiti ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke sqaruar se nisma synon të përcaktojë më qartë kufijtë e zbatimit të masës së pezullimit nga detyra dhe të garantojë funksionimin normal, të pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve më të larta të shtetit.
Ulsi Manja: Ky nen ka të bëjë me masat ndaluese që ka kodi i procedurës penale. Në pikën 1 të këtij neni sqarohet kompetenca që ka gjykata në caktimin e masave ndaluese që janë dy, pezullimi nga detyra dhe ndalimi i ushtrimit të një veprimtarie të caktuar. Jemi te pezullimi nga detyra. Në pikën 2 thuhet ‘masa e pezullimit nga detyra nuk shtrihet nga personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral’. Sipas këtij ligji zgjidhen anëtarët e këshillave bashkiak, kryetarët e bashkive dhe deputetët. Ne propozojmë që në pikën dy të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë pezullimi nga detyra.
Ky rreth subjektesh shtohet me Presidentin, Avokatin e Popullit, kryeministrin, zëvendës kryeministrin, ministrat, anëtarët e GJK dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëllimi është garantimi i funksionimit normal, të pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve më të larta të shtetit. Ndërhyrja që ne propozojmë ka natyrë proceduriale, dhe nuk përbën zgjerim të imunitetit kushtetues. Ne nuk i prekim fare dispozitat kushtetuese që rregullojnë imunitetin dhe nuk shtojmë privilegje individuale. Subjektet mbeten të hetueshme dhe të ndjekshme penalisht./vizionplus.tv





