Sistemi politik rus ka nisur një reformim të thellë me dorëheqjen e qeverisë së Dmtry Medvedev një ditë më parë. Një lëvizje strategjike kjo që sipas analistëve synon pakësmin e kompetencave të presidentit pasi Vladimir Putin të largohet në vitin 2024.

Shefi i Shërbimit Federativ të Taksave, Mikhail Mishustin, është emëruar si kryeministër i ri i Rusisë. Një politikan pa përvojë që njihet vetëm për modernizimin e sistemit të taksave ruse dhe një nga zyrtarët më të pasur në vend. Kjo zgjedhje e Putin vlerësohet si një përpjekje për të vazhduar regjimin dhe për të mbajtur pushtetin edhe pas përfundimit të mandatit presidencial. Kjo, pasi Mishustin njihet si një nga njerëzit më të bindur të presidentit.

Kreu i shtetit rus, gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, bëri thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit. Dhoma e Ulët ose Duma ruse tashmë do të ketë të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin. Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.

Vladimir Putin ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër që nga viti 1999. Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar. Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit, në vitin 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *