Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në takimin e kësaj të premtje me stukturat e partisë në Kamës i është përgjigjur kryeministrit Rama për batutat e përdorura prej tij në takimin e sotëm në Berat, i cili ironizoi shenjtorët e besimit bektashian.

 

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi i bëri thirrje Ramës, kudo shkoftë në vende të krishtera apo mysliman, apo edhe bektashi, mos ironizo dhe mos përmend emrat e të shenjtëve mbi të cilët shqiptarët kanë ngritur besimin në atdhedashuri, sepse mallkimi i tyre do të bier mbi kokën e tij dhe ai nuk do ta shpaguajë dot, jo në këtë jetë, por as në jetën tjetër”.

 

Kryemadhi tha se Rama nuk duhet të guxojë të fyejë Zotin që i mbron shqiptarët nga mallkimi që Rama i ka hedhur Shqipërisë.

 

“Do të lutem në Zot, dyfish dhe trefish,për të ngritur besimin tek njerëzit sepse vetëm besimi në zot do të na kthejë paqen dhe begatinë. Do të lutem në Zot që ti kthehen pronat kishave, xhamiave, teqeve dhe çdo besimi fetar, që të mos vazhdojë me Edi Rama të grabisi pronat e Zotit, sepse kurrë nuk do të gjejnë paqe shqiptarët dhe kushdo tjetër nëse do të ndërtojmë besimin jo mbi grabitjen e pronës, por duhet ta ndërtojmë besimin vërtet te vlerat, tek morali, tek familja dhe tek atdhedashuria. Do të lutemi në Zot, që të fali mëkatet e brezave të kaluar, që shkatërruan institucionin e besimit në Zot dhe ndërtuan institucionin e krimit dhe drogës në Shqipëri. Do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga trafiku i drogës, do të lutemi në Zot që të na shpëtojë fëmijët nga krimi, nga varfëria, nga injoranca dhe nga intimidimi i grupeve kriminale.”

 

Ndër të tjera në këtë takim kryetarja e LSI-së ka folur edhe për protestën e 16 marsit ku ka bërë thirrje të gjithë që të marrin pjesë nesër në protestë.

 

“Ne nuk do ta lejojmë këtë të keqe që të kaplojë Shqipërinë. Ne do ta largojmë Edi Ramën, pasi ai është një i marrë që po e shkatërron vendin. Nesër është dita vendimtare për të treguar se ne jemi shumë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *