Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se qeveria e Edi Ramës ra dhe se shumë shpejt do të bjerë dhe kryeministri.
Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, Kryemadhi tha se nga sot Partia Socialiste u kthye në partinë e Surrelit.
“Sot, ra qeveria e Surrelit, por e dija që qeveria që drejtonte deri më sot ishte qeveria e Surrelit, por përfundimisht mu krijua dhe bindja që sot dhe Partia Socialiste u kthye në Partinë e Surrelit. Qeveria e Surrelit ra sepse mashtroi shqiptarët.”
Ajo u bëri thirrje të gjithë socialistëve që të marrin në dorë fatet e partisë pasi, sipas saj, Rama po e privatizon PS. Por pavarësisht kësaj thirrjeje, drejtuesja e LSI paralajmëroi se nëse nuk e rrëzojnë vetë socialistët Ramën, atë do ta bëjnë shqiptarët.
“Qeveria jote ra, ra z.Rama, por tani duhet të biesh edhe ti, sepse duke rënë dhe ti, shqiptarët do të kenë shanset dhe mundësitë për të pasur një jetë më të mirë, për të pasur taksa më të ulta, për të pasur rroga më të mira, për të pasur shëndetësi të drejtë, për të pasur arsim të barabartë për fëmijët e tyre, për të pasur një qeveri që i do të gjithë qytetarët e saj njëlloj dhe jo për shkak të bindjeve politike. Qeveria jote ra z.Rama, por duhet të ikësh edhe ti sepse shqiptarët e kanë të domosdoshme, është mbijetesë e tyre, prandaj ju bëj thirrje të gjithë atyre socialistëve të ndershëm, të cilët sot Edi Rama i ktheu në Parti të Surrelit, që të reagojnë, të marrin fatet e Partisë Socialiste në dorë, nëse nuk e bëjnë ata do ta bëjnë shqiptarët, do ta bëjnë shqiptarët sepse nuk do ta lejojë njeri Edi Ramën të përdhosi dhe të nëpërkëmbi shqiptarët e tyre.”
Në kuadër të këtyre deklaratave, Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe t’i bashkohen protestës së emigrantëve për të rrëzuar qeverinë.
“Sot Edi Rama do vetëm një të fryrë dhe është gati për të rënë në humnerën e krimit që i ka ndërtuar shqiptarëve, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve bashkohuni sot në protestën në orën 5, në protestën e të gjithë shqiptarëve që kanë ardhur nga diaspora për të protestuar, mos të ndalojmë në asnjë minutë dhe në asnjë sekondë, harroni politikën, sot janë fatet e Shqipërisë në diskutim, o sot o kurrë të gjithë së bashku kundër kësaj lavatriçeje të krimit, e cila po bën çdo ditë dhe më shumë pis Shqipërinë dhe nuk po e pastron gjë tjetër veç parave të drogës.”




