Monika Kryemadhi ishte këtë të enjte në Divjakë, ku prezantoi kandidaten për deputete, Sariola Janko.

Sipas saj, Divjaka mund të zhvillohet përmes turizmit, blegtorisë dhe bujqësisë, ndërsa foli me qytetarët edhe për problematikat me të cilat ata ndeshen.

 “Mungesa e infrastrukturës, mungesa e vëmendjes, shtrimi tre herë i të njëjtës rrugë vetëm e vetëm për të bërë tenderë fitimprurës vetëm për xhepat e tre apo të një njeriu, unë nuk mendoj që kjo është e ardhmja e Divjakës. Divjaka ka nevojë të ketë të rinjtë dhe të rejat, që njerëzit të mos ta shikojnë veten si transitore në jetën politike, ekonomike, shoqërore. Një nga problemet më të mëdha janë këto të rinj dhe të reja, të cilët nuk duhet ta mendojnë veten si njerëz kalimtarë, si njerëz që përdoren si transit, por ta mendojnë veten si njerëz zotë të qytetit të tyre. Sot pjesa më e madhe e banorëve të Divjakës, pjesa më e madhe e atyre që kanë toka, nuk e kanë tapinë e tokës, gjë që nuk u jep mundësinë që ata të marrin kredi me përqindje të ulëta. Për të mos folur më pas për sistemin arsimor, shëndetësor, që vjen çdo ditë e më shumë duke u reduktuar. Kemi qenë përpara disa kohësh në Divjakë në kafe me gratë dhe vajzat e zonës, dhe kemi takuar një vajzë që kishte ardhur nga Anglia me pushime dhe mesa kuptova ishte edhe një nga mbështetëset më të flakta të Sarës, dhe tha: Nuk kam arsye për të ardhur me pushime në Divjakë, sepse nuk të ofron asgjë, përveç emocioneve familjare.”

Ajo premtoi se LSI do të angazhohet për tapitë e tokave që iu duhen fermerëve.

“Gjithmonë të rinjtë sjellin energji të re, sjellin vizion të ri. Unë të jap fjalën që bashkërisht të dyja, por jo vetëm, i gjithë ekipi i LSI-së, do angazhohemi  për tapitë e tokave që u duhen fermerëve, gjë që është shumë e rëndësishme. Sepse kjo u krijon atyre mundësi.  Nuk kanë thënë kot toka u takon atij që e punon, sepse nuk mund t’i takojë  ndonjërit që nuk jeton fare këtu dhe vetëm marrin tapitë, marrin subvencionet dhe nuk e kthejnë jo më kokën pas, por as nuk i japin atë që u takon banorëve. Kështu që kjo është një pikë e fortë, që ne do të angazhojmë jo vetëm strukturën e LSI-së, por edhe politikisht, institucionalisht për ta çuar këtë gjë deri në fund. Ajo do vullnet politik, edhe dëshirë. Kështu që Sara ka qenë zgjedhja e duhur. Jam e bindur që vetëm do jetë surprizë, por edhe detyrimet e mia morale dhe politike do të jenë shumë të mëdha, sepse ma keni bërë shumë të thjeshtë punën, edhe pse hyn tek qarqet më të vështira sa i përket mentalitetit, ideologjisë. Por është nga qarqet më punëtore, me njerëzit më të mirë, më njerëz të çiltër dhe këtë e tregon më së miri dhe angazhimi juaj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *