Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar këtë të premte një takim me strukturat e forcës së saj politike në Pogradec. Ajo shprehet se strukturat e policisë nuk përbehen nga punonjës që janë të gatshëm që japin jetn për të mbrojtur vendin, por nga trafikantë që kanë kryer dënime jashtë Shqipërisë.

“Dëgjojmë në televizor Ministrin e Brendshëm që tallet me policët, edhe pse është ministri i policëve, e ndërkohë shikojmë absurditete të tjera më të mëdha nga mëngjesi deri në darkë, të një kryeministri në ikje, që tallet me shqiptarët. Në fakt do kthehem vetëm pak për Ministrin e Brendshëm, që tallet me policët, sepse në Ministrinë e Brendshme nuk ka më policë që janë të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur ligjin, për të mbrojtur qytetarët. Në polici ka trafikantë, të cilët janë të dënuar jashtë Shqipërisë, të cilët janë ata që kontrollojnë patrullat e policisë. Ne heqim Kryetarin e Bashkisë Valdrin Pjetrin si trafikant nga Shkodra, ndërkohë vëllain e Valdrinit e kemi në SHKB, që qëllon, godet dhe përzë patrullat e policisë, kur kërkojnë për të parë se çfarë ndodh. Prandaj është kjo urrejtje e Ministrisë së Brendshme për Policinë e Shtetit. Prandaj e quajnë turp të veshësh uniformën e dalë boje të një polici, i cili është i gatshëm për një rrogë të papaguar për punën që bën,  të lëri edhe fëmijët e tij jetim. Dhe në fakt sot duhet të jesh trafikant, duhet të jesh kriminel, duhet të jesh oligark, që të kesh përkëdheljen e qeverisë së Edi Ramës.”

Ndër të tjera, Kryemadhi deklaroi se Kodi i ri Zgjedhor nuk i krijon mundësi parive të reja për të hyrë në Parlament, por i eliminon ato.

“Me kodin që ka miratuar Edi Rama sot ne do të kishim 2 deputetë në Parlament. Me kodin e vjetër LSI-ja ka pasur vetëm një deputet në Parlament. Pse? Sepse kodi i vjetër i krijon mundësinë për të hyrë në Parlament partive të reja. I krijon mundësinë për të hyrë në Parlament kandidatëve të rinj, edhe nëse janë si individë. Ndërsa kodi i ri nuk i krijon asnjë lloj mundësie partive të reja, por përkundrazi i eliminon ato. Ndërsa LSI-së i jep prioritet për ta shumëfishuar rezultatin me vende në Parlament, ndërkohë që aftësitë dhe mundësitë për të rritur më shumë numrin janë jashtëzakonisht më të mëdha.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *