Kryemadhi: Ditë të rëndësishme për opozitën, Rama e Veliaj rreziku i Shqipërisë

Drejtuesja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me strukturat në Njësinë nr 5 të kryeqytetit.
Në fjalën e mbajtur, Kryemadhi tha para mbështetësve të LSI se këto ditë janë të rëndësishme për opozitën në lidhje me aksionin që ajo ka ndërmarrë.
E ndalur tek zgjedhjet e 30 qershorit, Kryemadhi nuk I kurseu as akuzat në drejtim të ndërkombëtarëve, që sipas saj mbyllën sytë e gojën përpara farsës.
“Këto ditë janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, jo për Monikën si ish deputete apo si kryetare e LSI, as për Petritin, as për Flobin e as për Floidën por këto janë ditë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët sepse janë vazhdimësia e aksionit të refuzimit që gjithë shqiptarët i bënë Edi Ramës dhe klikës së tij. Ne jemi shumë të kthjellët dhe shumë të qartë në aksionin tonë politik. 30 Qershori është fundi politik i Edi Ramës për të gjithë ata ndërkombëtarë që nuk kishin sy për ta parë, që nuk kishin veshë për ta dëgjuar dhe nuk kishin gojë për të folur.”
Në kuadër të këtyre akuzave, Kryemadhi kërkoi nga strukturat që të mos ndalojnë por të zhvillojnë takime me të gjithë socialistët e zhgënjyer por edhe me qytetarë të tjerë dhe t’u kërkojnë që t’i bashkohen opozitës.
“Detyra jonë është që mos të ndalojmë por të takohemi çdo ditë, jo vetëm me socialistët e zhgënjyer, jo vetëm me demokratët, jo vetëm me LSI-stët, jo vetëm me republikanët, jo vetëm pra me militantët partiak por duhet të takohem pra me të gjithë ata qytetarë të cilët refuzojnë këtë qeverisje që iu rrit taksat shqiptarëve, që iu shkurton vendet e punës, që i mbyt me pasiguri, që rrit çmimin e bukës, që ul standardin e jetesës, që po izolon më shumë shqiptarët.”
Kryemadhi nuk I kurseu as akuzat e drejtpërdrejta në drejtim të kryebashkiakut Veliaj e kryeministrit Rama.
“Kjo dyshe e cila ka marrë peng qytetin e Tiranës është shumë më e rrezikshme se 45 vitet e komunizmit. Është më e rrezikshme se çdo pushtim tjetër. Sepse një plum i pushtuesit na kthente në heronj, por një plumb virtual i kësaj dysheje kriminale do të na shkatërrojë dhe do të na bëjë inekzistent në vend. Prandaj beteja jonë nuk ëhstë më për flamujt politik, beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë, për vazhdimësinë e Shqipërisë dhe për të thënë atë që kemi thënë gjithmonë, ky popull i shqiponjave do të vazhdojë të jetojë krenar, me integritet dhe me dinjitet, në mes të këtij Ballkani të trazuar, që gjithmonë ka qenë kundër nesh. Ne kemi mbijetuar, jemi popull i vogël, jemi popull i varfër, jemi popull i vuajtur. Kemi dhe ne gabimet tona, por di të them që shpirtin dhe zemrën e këtij populli as nuk e shet dhe as nuk e blen dot.”




