Subscribe

Vendimi politik i krerëve demokrat të bashkive për të mos lëshuar zyrën, mund të shoqërohet me një krizë sociale.

 

Ish-ministri i financave Arben Malaj thotë se nëse zgjedhjet do të certifikohen, atëherë titullarëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të respektojnë ligjin duke pranuar rotacionin.

 

“Partia e tyre mund ta vijojë debatin politik, por nga pikëpamja administrative ata do të duhet të respektojnë fituesin. Nëse kemi një fitues të ri, hapi i parë është betimi i tij në Këshillin Bashkiak dhe më pas lind e drejta e firmës. Ministria e Financave që autorizon çeljen e firmave për këdo që ka një llogari publike, do bazohet në një vendim ligjorë. Nëse ata do vijojnë të respektojnë një vendim politik, me vjen keq të them që do jenë në shkelje të ligjit.”

 

Por cfare mund të ndodhe nëse krerët aktuale do të refuzojnë të lënë detyrën e tyre?

 

“Kryetarët e vjetër nuk do të kenë mundësi të menaxhojnë situatën, sepse nuk do të kenë të drejtë të autorizojnë shpenzimet. Dhe pikërisht këtu nis një krizë edhe më e thellë shoqërore, pasi nuk do të kenë mundësi të paguhen pagat, sigurimet dhe çdo shërbim tjetër i takon pushtetit lokal.”

 

Ndaj në këto kushte, Malaj apelon që të hartohet sa më parë nga autoritetet ligjshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit.

 

“Duke parë që ka lindur një debat i tillë, fakti është që ka ende kohë në dispozicion që certifikohen, si dhe qartësohen sa më parë statusi i zgjedhjeve si dhe statusi ligjor i krerëve të rinj të bashkive.”

 

Pas votimeve të 30 qershorit, opozita mori vendimin politik për të mos njohur zgjedhjet, një fakt ky i cili është shoqëruar me deklarata publike nga krerët e bashkive demokrate, se nuk do të lëshojnë zyrën deri në datën e dekretuar nga presidenti, që është 13 tetori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *