Situata jo e qëndrueshme politike në Kosovë ka ndikuar që Kosova të ketë një progres të kufizuar.

 

Kështu thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përmendet situata politike që nga drejtimi i Ramush Haradinajt e deri në qeverinë aktuale të kryeministrit Avdullah Hoti.

 

Po ashtu mungesa e përparimit vihet re edhe në administratën publike e sistemin gjyqësor që nuk janë shkëputur dot nga ndikimi i politikes. Ndërsa për krimin e organizuar dhe korrupsionin theksohet se Kosova është ende vetëm në hapat e parë.

 

Për Maqedoninë e Veriut, raporti thekson nevojën për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë. Dokumenti nënvizon se Shkupi zyrtar ka vazhduar me zbatimin e reformave të lidhura me BE si dhe ka shtuar përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Ndërsa për Serbinë, Raporti shprehet se niveli i korrupsionit mbetet çështje shqetësuese. Në parlamentin e sapoformuar mbizotëron shumica e koalicionit qeverisës dhe mungon një opozitë efektive, ndaj kjo situatë nuk është e favorshme për pluralizmin thotë Komisioni Europian.

 

Progres raporti evidenton edhe zhvillimin e marrëdhënieve intensive dhe partneritete strategjik me disa vende në gjithë botën, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Komisioni Europian përmend edhe zotimin e Presidentit Aleksandër Vuçiç për zhvendosjen e Ambasadës  nga Tel Avivi në Jeruzalem korrikun e vitit të ardhshëm.

 

Ndaj Malit të Zi, progres raporti vendos theksin tek liria e shprehjes si dhe tensionet e mosbesimin mes faktorëve politikë. Ndërsa për Bosnje Hercegovinën nënvizohet se nuk ka shënuar progres në shumë fusha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *