Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume mbështeti propozimin e opozitës që hapja e listave zgjedhore të bëhet e plotë.

Duke folur për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Kume e cilësoi propozimin e PS, hapjen me 2/3, një slogan politik.

“Hapja e listave me sistemin që ne kemi i krijon mundësi zgjedhësit që të shprehet me preferencë për atë që ai do. Është një mundësi shumë më e mirë sesa ajo që ne kemi të përcaktuar, listat e mbyllura, për funksionimin më të mirë të demokracisë. Nëse ne arrijmë hapjen e listave pa asnjë dysheme, sepse kështu është slogan dhe jo realitet, do të jetë një lëvizje që do të sjellë produkte të ardhura në Parlament nga vullneti i popullit.”

Sipas tij, këto diskutime janë bërë ndër vite dhe tani ka ardhur momenti që të vendoset diçka ashtu siç e do populli.

“Kërkesa e ardhur nga partitë politike nuk është kërkesë e shtruar tani, por e kahershme, veçanërisht e shoqërisë civile në vendin tonë. Fakti që mund të ndërhyhet dhe të gjendet zgjidhje si ajo që është propozuar nga mazhornaca dhe nga opozita, do të thotë që të votohet me lista të hapura, nuk sjell asnjë efekt nëse bëhet apo nuk bëhet dot procesi zghjedhor, administrohet dot vota apo jo nëse do të vijohet të garohet edhe me ato koalicione si deri më sot. Bashkëlidhja e këtyre të dyjave deri më sot vijnë për shkak të përpjekjes së politikës për të ndërtuar rregulla që t’ju mundësojnë atyre sa më mirë që të jetë e mundur suksesin elektoral.”

Kristaq Kume theksoi se votime me lista të hapura ka gjithandej, jo vetëm në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *