Subscribe

Pas më shumë se dy vitesh i shpallur në kërkim ndërkombëtar, vetëdorëzohet në polici Klemend Balili, i cilësuar si “Eksobari i Ballkanit” apo “Baroni i drogës”.

 

I shoqëruar nga avokati dhe nipi i tij Rigels Balili, mëngjesin e kësaj të marte ai negocioi me policinë për tu dorëzuar në Delvinë.

 

Pasi komunikoi me zyrtarë të lartë të policisë, drejt Delvinës u nis edhe drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu. Takimi i tyre u bë në rrugën mes Delvinës dhe Finiqit. Më pas, Balili u transportua në kryeqytet nga vetë drejtori i policisë, Ardi Veliu. Fillimisht, ai u dërgua në ambientet e komisariatit numër 6 e më pas në drejtorinë e policisë Tiranë.

 

I kontaktuar nga Vizion Plus, Veliu tha se për 6 muaj me rradhë, policia ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarë të Balilit, për vetëdorëzimin e këtij të fundit. Sipas Veliut, kusht për dorëzim ka qenë kryerja e një hetimi të rregullt ligjor, si dhe mbajtja e tij në një ambient të sigurt.

 

Mësohet se përgjatë këtyre dy viteve, klement Balili qëndronte i fshehur në rrethinat e Delvinës, duke mos u larguar nga Shqipëria.

 

Në një dalje për mediat, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti arrestimin e Balilit, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët e huaj.

 

“Me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka operacioni për arrestimin e Klement Balilit, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave. Balta dhe histeria e politikës me krimin, jo vetëm s’na ndalin, por na motivojnë edhe më shumë.”

 

Ndërsa avokati Theodhori Sollaku u shpreh se klienti i tij nuk iu shmang drejtësisë dhe se për të nuk ka asnjë provë.

 

Vetëdorëzimi vjen në të njëjtën ditë kur prokuroria për krimet e rënda i dorëzoi gjykatës kërkesën për gjykim të Balilit, duke e akuzuar për 4 vepra penale: “Trafik të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrës në Grupin e Strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarimin, ose deklarimi i rremë i pasurive, si dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *