Kreu i ri i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu mohon që të ketë pasur ndonjë konflikt brenda partisë që mund të ketë çuar në dorëheqjen e Bamir Topit. Ky i fundit u tërhoq nga posti i drejtuesit të kësaj partie, sapo Shehu nënshkroi marrëveshjen me PD.
Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Shehu deklaroi se objektivi i FRD është që të bëhet pjesë e Parlamentit dhe qeverisjes së ardhshme.
“Asgjë nuk ka ndodhur midis nesh! Topi, i cili ka vlerësimin maksimal për kontributin dhe staturën, dha dorëheqjen, është akt i lartë në demokraci. Topi ishte një njeri i respektuar, si nga formimi dhe statura. Partitë nuk janë të individit, por grupime vullnetare njerëzish në të cilat grumbullohen kontributet e të gjithë anëtarësisë. Fryma e Re Demokratike, nga themelimi, është ndër të vetmet parti që ka një shumicë të konsiderueshme votash. Në 2021, FRD do të jetë forcë e rëndësishme në jetën politike shqiptare, do të jetë pjesë e Parlamentit shqiptar dhe pjesë e qeverisë së ardhshme. FRD ka kandidatë në të gjithë qarqet e vendi, janë kandidatët më të spikatur.”
Shehu denoncoi se dy punonjës të Bashkisë Tiranë u kanë bërë presion që të lirojnë menjëherë zyrat.
“I vetmi presion që i është bërë Frymës së Re Demokratike është bërë këto dy ditë nga punonjës pa identitet të Bashkisë, të cilët na kanë ardhur këtu dhe na kërkuan të lirojmë ambientet në kundërshtim me ligjin, me situatën politike dhe etikën e komunikimit.”





