Subscribe

Fundi i vitit 2023 shënoi edhe një valë të re të shtrenjtimit të normave të interesit, për thuajse të gjitha llojet e kredisë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë flasin se normat e interesit si në lekë edhe në euro për individët dhe biznesit shënuan rritje.

Banka e Shqipërisë thotë se megjithë rritjen e kostove, kredidhënia nuk është frenuar. Eksperti i ekonomisë, Albert Gajo në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi ka folur lidhur me rritjen e normave të interesit.

Lexo edhe :

Related Posts

Intervista

-Si shpjegohet që kredia shtrenjtohet dhe kërkesa për kredi nuk tkurret?

Gajo: Këto janë të dhëna të Bankës Qendrore, të cilat kanë vërtetuar një rritje të normës së interesit për shkak të presioneve inflacioniste. Kjo është shoqëruar me një rritje globale të normave të interesit në mbarë botën, veçanërisht në Evropë dhe në Shqipëri. Politika e Bankës Qendrore është gjithmonë të frenojë ritmet e rritjes së inflacionit. Në Shqipëri kjo ka reflektuar në rritjen e kostove për marrjen e kredisë, por jo në kërkesën për marrjen e kredisë sepse si duket është brenda limiteve në të cilat bizneset dhe kredia konsumatore mund ta përfitojnë këtë lloj kredie. Nëse do të vazhdojë trendi i rritjes së interesave do të ndikojë në mënyrë të padiskutueshme në një frenim të marrjes së kredisë.

-Si dhe sa ndikon në kredimarrje rritja e konsiderueshme e rrogave që ka ndodhur në vendin tonë? Po shkojmë drejt konsolidimit të vlerës që ka shpallur qeveria, 900 euro paga mesatare.

Gajo: Rritja e pagave drejtpërdrejt shkon te mallrat e konsumit, sepse inflacioni mat shportën e mallrave të konsumit dhe do të ndikonte drejpërdrejt në rritjen e çmimeve. Duhet parë një balancë se sa ka ndikuar defiçiti buxhetor në këtë drejtim, pra nëse qeveri ka përdorur defiçitin buxhetor për të rritur pagën mesatare. Vitin e kaluar, për shkak të rritjes së të ardhurave të buxhetit të shtetit, që u ndikua nga ulja e kursit të këmbimit, nga një shërbim më i vogël i borxhit për shkak të interesave të borxhit të jashtëm dhe për disa elementë të tjerë, ka pasur të ardhura suplementare të paparashikuara, gjë që ka ndikuar që qeverisë t’i jepte një lloj fleksibiliteti për rritjen e pagës mesatare.

-Për të marrë ose jo një kredi, çdo individ vlerëson gjendjen financiare, personale, familjare etj. Nëse dikush do t’ju bënte ju pyetjen, si një ekspert i ekonomisë, “a është ky një moment i mirë për të marrë kredi”, në këtë gjendje që është ekonomia dhe të gjitha këto parametra që ju i shpjeguat hollëshit, cila do të ishte një përgjigje më e thjeshtë?

Gajo: Kredi konsumatore nuk është shumë e leverdishme, sepse kredia konsumatore merret për 20-25 vite dhe sipas metodologjisë sSë Bankës Qendrore, pjesa më e madhe e kostos së kredisë në fazën e parë është për interesa. Në momentin kur interesi është shumë i lartë, konsumatori do të paguajë pjesën më të madhe të borxhit të këtij interesi në momnetin e parë, pra kredia bëhet shumë e shtrenjë. Ndërsa kredia afatshkurtër është e leverdisshme sepse barrën e interesave e shpërndan në mënyrë të njëtrajtshme. Normalisht konsumatorët, kur normat e interesit janë në nivele të larta, duhet të kenë prirje të marrin kredi afatshkurtra, në mënyrë që të vijë një kohë e dytë që norma e interesit të bjerë, sepse kredia konsumatore me 5 ose me 6% i bie që të paguajnë 70% të kostos së kredisë, ta paguajë interesa.

-Flasim për kreditë e bankave, por e dimë të gjithë që në treg ekzistojnë kreditë informale, marrja e parave borxh jashtë bankave. Nga disa konsiderohet si lubrifikator i ekonomisë përkundër procedurave të gjata bankare. Cili është rreziku apo e mira e këtij tregu informal?

Gajo: Tregu informal nuk është pozitiv për ekonominë sepse dobëson politikat monetare dhe krijon risqe të tjera. Normat e tyre të interesit janë shumë të larta dhe mënyra e operimit të këtyre sistemeve, janë jashtë sistemit të kontrollueshëm fiskal dhe krijojnë rreziqe të tjera që ne i kemi provuar në ’97. Këto lloj kanalesh duhet të bllokohen sepse pengojnë proceset dhe tregun e parasë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *