Subscribe

Arsyeja kryesore pse individët morën kredi gjatë vitit të shkuar mbetet ajo për blerje banese. Por gjatë 2023, Banka e Shqipërisë vuri re se interesi më i lartë i kredimarrësve ishte për kredi në lek dhe jo në euro, falë normave të interesit më të favorshme.

“Përforcimi i lekut ka bërë që individët të marrin më shumë kredi ën lekë, duke marrë parasysh që ndryshe nga e kaluara kur kredia në euro ishte më ndjeshëm më e lirë nga kredia në lekë, sot ato që ishin diferencat e mëparshme janë zvogëluar ndjeshëm. Njerëzit ndjejnë më shumë besim kur marrin kredi në lekë dhe kjo është në rregull në momentin kur të ardhurat janë në monedhën kombëtare dhe shpenzimet janë në të njëjtën monedhë”, tha Mateo Spaho, ekspert i tregut bankar.

Pavarësisht zgjerimit të kredisë në lek për të blerë një shtëpi dhe normave më të ulëta të interesit, Banka Qendrore raporton se individët kanë hasur probleme në shlyerjen e kësteve, duke e rritur nivelin e kredive të këqija për këtë kategori nga 2.3% që ishte në 2022 në 3.2%.

Në këtë pikë, ekspertët sugjerojnë që marrja e kredisë të bëhet gjithmonë në monedhën që ke të ardhurat.

“Merr kredi në raport me monedhën që ke të ardhurat. Nëse të ardhurat i ke  në lekë, kërko kredi në lekë, nëse i ke në euro, merr kredi në monedhë të huaj, në këtë mënyrë ti përjashton riskun e kursit të këmbimit dhe garanton një qëndrueshmëri më të lartë në pagesa, qoftë si individ, qoftë si biznes”, tha ai.

Bankat presin që kërkesa e familjeve për kredi për blerje banesash të jetë në rritje edhe gjatë gjashtëmujorit të vitit 2024, por kushtet për të marrë kredi do të jenë më të shtrënguara. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *