Subscribe

Një javë pas nisjes zyrtare të fushatës elektorale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndan lekët për partitë që përfitojnë mbështetje financiare nga shteti për vendoret e majit. Nga 100 milionë lekët e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, 10 janë partitë përfituese.

 

Më shumë nga të gjithë lekë për fushatën zgjedhore do të marrë Partia Socialiste me 43 milionë. Pas saj vjen Partia Demokratike, ajo zyrtare e drejtuar nga i komanduari Enkelejd Alibeaj, me 25 milionë lekë.

 

E treta është Partia e Lirisë me 15 milionë.

 

Mbështetje financiare, por në shifra më të ulëta nën 4 milionë lekë, përfitojnë edhe parti më të vogla. Edhe pse është mes partive që i takon të marrë lekë për të mbuluar shpenzimet për fushatën elektorale, socialdemokratëve të Tom Doshit nuk do t’i jepen. Për shkak se PSD është debitore ndaj KQZ-së, pasi nuk ka shlyer gjobën për mosdeklarim të të ardhurave dhe shpenzimeve në zgjedhjet e fundit, shuma prej 561 mijë lekësh do t’i mbahet.

 

Për të llogaritur shumën ku vlera e një vote është 57 lekë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i është referuar rezultatit të zgjedhjeve të 2015-ës, 201-ës dhe 2019-ës. Pra lekët janë vendosur në bazë të numrit më të lartë të votave, që partitë kanë marrë në një nga tre proceset zgjedhore dhe kjo pasi vendoret e katër viteve më parë u bojkotuan nga opozita e asaj kohe.

 

Të vetmit që në arkën e tyre do të kenë zero lekë për fushatë elektorale janë grupimi i demokratëve të Sali Berishës. Financimi është në dorën e Ilir Metës, që si udhëheqës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, 15 milionë lekët e dhëna nga qeveria do të derdhen në llogarinë bankare të partisë së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *