Subscribe

Ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara bën gjënë e duhur duke ndihmuar popullin e Kosovës që të fitojë lirinë.

Ajo i bëri këto komente pasi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi atë heroinë të Kosovës.

Një ditë më parë me këtë urdhër u dekorua edhe ish presidenti amerikan Bill Clinton.

Me “Urdhrin e Lirisë” u dekorua edhe ish komandanti i forcave të NATO=s gjatë luftës së Kosovës, gjenerali Wesley Clark.​

Ish zyrtarët e lartë amerikanë, po marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare. Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 4 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Hyrjes së trupave u parapriu nje fushatë 78 ditëshe e bombardimeve kundër forcave serbe, pasi që Beogradi kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

Në njëzetvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, udhëheqësit politikë në Kosovë e shohin 12 qershorin si një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës./VOA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *