Në kushtet e përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend, qeveria e Kosovës ka vendosur masa të reja në kuadër të ngadalësimit të përhapjes së koronavirusit. Sipas vendimit, qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë nga vendet fqinje, duhet të pajisen me testin për covid 19.

“Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës duhet të dëshmojnë se nuk janë të infektuar me COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit.”

Por, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sqaroi se vendimi është reciprok dhe rrjedhimisht, qytetarëve shqiptarë që hyjnë në territorin e Kosovës, nuk do t’u kërkohet testi për covid-19.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka vendosur që të rikthejë fashat orare në disa komuna.

“Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç rasteve të urgjencës shëndetësore.”

Mbajtja e maskës do të jetë e detyruar në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive ndërsa autoritetet do të jenë në gatishëmri për të inspektuar ruajtjen e distancës fizike prej 2 metrash.

Ndër të tjera është ndaluar edhe grumbullimi i më shumë se 5 personave në hapësira publike, si dhe çdo aktivitet kulturor, rekreativ apo fetar.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *