Subscribe

Në Komitetin për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës, sot pritet të votohet raporti për anëtarësimin e Kosovës. Presidentja  Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova  ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme për tu bërë pjesë e këshillit.

“Raporti tashmë është pozitiv, përmbajta e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit Evropian me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtarët e tjerë. Ajo çfarë do të ndodhë sot është procedurë, është një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit, e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për PACE Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës… Kosova ka bërë çfarëdo që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim”, tha Osmani.

Osmani theksoi se themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Në qoftë se e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha Osmani.

Osmani ka shtuar se anëtarësimi është i rëndësishëm jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për qytetarët, të cilët janë të vetmit që nuk kanë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *