Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po skadon dhe situata politike në Kosovë paraqitet tejet e tensionuar.
Analisti Blerim Burjani, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderatore Pranvera Borakaj, shprehet pesimist për arritjen e një zgjidhjeje në orët e fundit.
Ai paralajmëron se vendi mund të futet në një krizë të thellë institucionale. Sipas analistit, tentativa për ndryshime kushtetuese e iniciuar nga presidentja aktuale Vjosa Osmani është e vonuar dhe me motive politike.
Burjani vlerëson se vendi ndodhet tashmë në krizë politike dhe kushtetuese, ndërsa e cilëson situatën si një lojë për të blerë kohë dhe për të mos zgjedhur asnjë kandidat.
INTERVISTA E PLOITË:
Sot skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. A besoni se do të ketë një zgjidhje për këtë situatë?
Blerim Burjani: Jo, tani nuk jam fare optimist se do të kemi ndonjë zgjidhje në këto sekonda apo orë të fundit që kanë mbetur deri në orën 12:00. Pra, situata është jashtëzakonisht dramatike. Askush nuk di të japë një përgjigje të saktë se çfarë do të ndodhë, përveç propozimit për amendamente nga Presidentja e Kosovës për të shpëtuar veten dhe mandatin e Kurtit si kryeministër. Kjo tentativë është politike, për të bërë ndryshimin e Kushtetutës, por ky veprim është i vonuar. Kjo procedurë merr gjashtë deri në nëntë muaj kohë, prandaj nuk është aspak e drejtë të niset kjo temë në këto çaste për arsye personale të zonjës Osmani. Duhet të zgjidhet presidenti sepse afati po mbaron. Në orën 12:00 Kosova mbetet pa president, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës dhe, sipas saj, brenda 45 ditëve do të duhej të shpalleshin zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo bllokadë po bëhet me qëllim, pasi shihet që Kurti nuk mund të procedojë me zgjedhjen e njeriut të tij të preferuar.
A rrezikon Kosova të shkojë në një krizë politike nëse Vetëvendosja nuk tërhiqet nga emri i Glauk Konjufcës?
Blerim Burjani: Unë besoj se ne jemi tashmë në një krizë, madje në një konflikt politik dhe kushtetues. Kemi probleme me shkeljet kushtetuese sepse afati po kalon. Sonte në mesnatë Kosova rrezikon të mbetet pa president. Kjo është një lojë politike për të mos zgjedhur askënd dhe për të blerë kohë. Në anën tjetër, zonja Osmani po luan një lojë tjetër politike për të shpëtuar veten.
Ju e përmendët këtë strategji të zonjës Osmani në minutat e fundit. Po në planin afatgjatë, a mendoni se i shërben Kosovës zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli për të mos krijuar këto ngërçe politike?
Blerim Burjani: Natyrisht që do t’u shërbente qytetarëve dhe institucioneve që presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, por tani është tepër vonë për këtë iniciativë. Kjo kërkon faza procedurale, konsultime publike dhe ndërpartiake. Nuk mund të bëhet kjo punë duke dërguar amendamentet nesër në Parlament, siç ka thënë zonja Osmani, sepse duhen dy të tretat e votave, përfshirë edhe ato të minoriteteve. Në afatgjatë është zgjidhje, por tani Kosova duhet të ketë një president për pesë vitet e ardhshme. Është për t’u habitur se si zoti Kurti krijon gjithmonë situata kritike dhe, kur nuk di çfarë të bëjë, bllokon procesin. As opozita nuk është për t’u lëvduar, sepse nuk po bashkëpunon për të ofruar një konsensus. Nuk ka vullnet politik dhe inatet po çojnë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nëse nuk zgjidhet presidenti deri në mesnatë, ne jemi në krizë institucionale. Mandati i presidentes aktuale zgjat deri më 5 prill, pastaj duhen shpallur zgjedhjet brenda 45 ditëve. Zoti Kurti po tregon se nuk ka eksperiencë politike dhe nuk është i aftë të merret me këto tema apo të bashkëpunojë me të tjerët. Është një lloj egoizmi për të mbajtur pushtetin vetë. Këto janë lojëra të këqija për Kosovën dhe subjektet politike duhet ta ndihmojnë vendin.
/vizionplus.tv





