Subscribe

Nga kjo e hënë, qytetarët e Kosovës do të përballen me kufizime të energjisë elektrike. Autoritetet bënë të ditur se reduktimet do të nisin nga ora 08:00 e mëngjesit: konsumatorët do të kenë gjashtë orë drita dhe dy orë jo, e alternuar në fasha.

 

Vendimi për kufizimet është marrë për shkak se korporatës elektro-energjetike i mungojnë fondet për blerjen e energjisë nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë. Për pasojë, Kosova do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendas.

 

Korporata ka kërkuar më herët rritjen e çmimit të energjisë nga qeveria deri në 70% për të bërë të mundur blerjen e energjisë.

 

Për këtë situatë kanë reaguar edhe partitë politike, ndërsa ish-kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se vendi po kthehet dekada mbrapa.

 

AVDULLAH HOTI

ISH-KRYEMINISTER I KOSOVES

 

Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e javëve të fundit. Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk iu kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Kosova është tej mase e varur nga importi për plotësimin e nevojave të saj me energji, pasi nga prodhimi vendas plotësohet vetëm gjysma e kërkesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *