Këtë të martë, Shqipëria hodhi një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hapur grup-kapitullin e radhës për negociata. Ky ritëm i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, sipas Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos është mbresëlënës, duke shprehur bindjen dhe mbështetjen që deri në vitin 2027 procesi i negociatave do të jetë i mbyllur.
“Nuk është e lehtë të çelësh kapitujt, por po ashtu është e vështirë edhe t’i mbyllësh. Jemi të sigurt se jemi në rrugë të mbarë. Shqipëria duhet të japë rezultate me reforma dhe të sjellë gjithçka që është e nevojshme që të mbyllë kapitujt. Vizioni i kryeministrit tuaj është të përmbyllim negociatat në fund të vitit 2027. Ne e mbështesim këtë vizion, ç’ka do të thotë se në momentin që kemi këtë kandidat kaq të zellshëm, është edhe përgjegjësia jonë që t’i mbështesim me energjinë dhe fuqinë njerëzore në Bruksel”, tha komisionerja Marta Kos.
Në konferencën e gjashtë ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, kryeministri Edi Rama deklaroi se edhe grup-kapitulli i fundit do të hapet brenda këtij viti, për të përmbushur më pas të gjitha detyrat në të gjitha fushat, të lëna nga Bashkimi Evropian që të hapet drita jeshile për anëtarësim.
“Sot çelëm një tjetër grupkapitull. Në fakt, ne kemi çelur 5 grukapituj në 11 muaj dhe mesa di unë, ky është një rekord. Pres me padurim të çelim grukapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti. Me shpresë do ta bëjmë sëbashku. E dimë që ka sfida dhe duhen bërë përpjekje, por e dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me perandorë të tjerë në të shkuarën, kjo është një perandori pjesë e së cilës duam të jemi”, tha kreu i qeverisë.
Katër kapitujt e hapur këtë të martë, me të cilët duhet të punojë Shqipëria për të përmbushur direktivat e BE janë Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi dhe ndryshimet klimatike. Në total, vendi ynë ka çelur 28 kapituj, ndërsa grup-kapitulli i fundit i mbetur pa hapur është ai për bujqësinë./vizionplus.tv





