Koronavirusi/ Kryemadhi: Shqipëria është seriozisht e përfshirë në pandemi

Pas shpalljes së pandemisë nga OBSH, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet se Shqipëria është seriozisht e përfshirë në pandemi.
Kryemadhi i shprehu ngushëllimet famijarëve të 73-vjeçares nga Durrësi që humbi jetën nga koronavirusi dhe shtoi se kjo situatë kërkon solidaritet nga të gjithë qytetarët dhe vëmendje më të lartë ndaj këshillave të mjekëve.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë sapo shpalli gjendjen e pandemisë nga koronavirus. Shqipëria është seriozisht e përfshirë në pandemi dhe sot për fat të keq një qytetare humbi jetën. Natyrshëm ngushëllime e mia më të sinqerta shkojnë për familjen e së ndjerës. Kjo situatë kërkon solidaritet të të gjithë qytetarëve dhe vëmendjen më të lartë ndaj këshillave dhe rekomandimeve të mjekëve. Është një moment që kërkon sakrificë, të cilës askush nuk mund ti shmanget, por të gjithë jemi të bindur se në këtë mënyrë do t’ja dalim ta kapërcejmë me sa më pak dëme situatën e pandemisë. Të vlerësojmë çdo moment, të dëgjojmë çdo rekomandim, të zbatojmë çdo këshillë dhe situata do të jetë e kapërcyer. Të kujdesemi për veten, sepse kështu kujdesemi edhe për personat e tjerë të familjes. Solidaritet dhe mbështetje me gjithë zemër për mjekët, infermierët, sanitarët, inspektorët e shëndetit publik, epidemiologët dhe të gjithë forcat që po përballen me vetëmohim dhe sakrificë me pandeminë. Respekt pafund për ta!”




