Në Itali është regjistruar rasti i parë i infektimit me koronavirus në jug të vendit. Një turist nga Bergamo i cili kishte shkuar me pushime në Palermo rezultoi pozitiv si mbartës i sëmundjes. Ndërkohë autoritetet kane raportuar shtatë viktima, të gjithë të moshuar, nga mosha 62 deri në 88 vjec të cilët vuanin edhe nga disa sëmundje kronike. Kryeministri i vendit, Giuseppe Conte ka bërë thirrje për transparencë dhe bashkëpunim duke kritikuar disa spitale për mungesë të zbatimit të protokollit.

 

GIUSEPPE CONTE

KRYEMINISTER I ITALISE

“Jemi duke vlerësuar situatën në seriozitetin e saj, ndryshe nuk do të kishim marrë këto masa të forta. Ne nuk mund të parashikojmë se si do të jenë zhvillimet me koronavirusin, megjithatë mund të them se trajtimi nga disa spitale nuk është bërë plotësisht sipas protokolleve. Dhe kjo ka kontribuar në përhapjen e mëtejshme. Prandaj bëj thirrje që të veprojmë të gjithë së bashku me besim, kurajë dhe vendosmëri.”

 

Numri i personave të infektuar në vendin fqinj, i ka kaluar 230 ndërsa në rang botëror janë regjistruar 2700 të vdekur dhe më shumë se 88 mijë mbartës të virusit.

 

Qëndra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në një raport mbi situatën e infektimit në Europë ka theksuar se rreziku për njerëzit që jetojnë në BE është aktualisht i lartë. Italia është vendi i tretë që ka shfaqur numrin më të madh të të prekurve dhe viktimave.

 

Franca dhe Austria kanë shtuar masat parandaluese duke intensifikuar kontrollet kufitare. Irlanda , Greqia , Serbia dhe vende të tjera kanë këshilluar qytetarët e tyre të shmangin udhëtimet drejt Italisë. Qeveria italiane ka propozuar një takim me ministrat e shëndetësisë të vendeve fqinje me qëllimin që të vendosen linja të përbashkëta veprimi. Kryeministri Konte ka deklaruar se nuk është nevoja të preket zona shengen pasi janë marrë te gjitha masat e nevojshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *