Pasi presidenti amerikan anuloi takimin e Singaporit të parashikuar më 12 qershor, Koreja e Veriut ka surprizuar sërish me qëndrimin e saj.

 

Vendi komunist është i gatshëm për bisedime pavarësisht vendimit të djeshëm të presidentit Trump. Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Kye Gwan, tha se Pheniani mbetet i hapur për zgjidhjen e çështjeve me Uashingtonin në çdo kohë dhe në çdo mënyrë.

Ai e konsideroi “të papritur” dhe shprehu keqardhje për vendimin e Trump.

 

“Anulimi i bisedimeve tregon se sa i rëndë është statusi i marrëdhënieve historike armiqësore midis Koresë së Veriut dhe SHBA-ve dhe sa urgjentisht duhet të zhvillohet një samit për t’i përmirësuar këto marrëdhënie. Përkushtimi ynë për të bërë më të mirën, për hir të paqes dhe qëndrueshmërisë në botë dhe në Korenë e Veriut, mbetet i pandryshueshëm. Ne jemi të hapur dhe i japim kohë dhe mundësi SHBA-ve”.”-ka thënë zëvendës ministri i jashtëm i Koresë se Veriut.

 

Donald Trump e anuloi samitin përmes një letre dërguar Kim Jong -Unit, duke përmendur kërcënimin e Koresë së Veriut, kur një zyrtare e lartë verikoreane e cilësoi zv/presidentin e Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, si “kopje politike” dhe paralajmëroi për “përplasje të mundshme bërthamore” nëse diplomacia dështon.

 

Por, duket se Trump la derën hapur për një takim të ri. “Nëse ndryshoni mendjen, ju lutem mos hezitoni të më telefononi ose të shkruani”-thuhet në letër.

 

Njoftimi i presidentit amerikan erdhi vetëm pak orë pasi Koreja e Veriut shkatërroi disa tunele në vendtestimin bërthamor Pungye Ri. Ky veprim u vëzhgua nga gazetarët e huaj, por jo nga ekspertët bërthamorë, ashtu siç ka kërkuar SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *