Kontratat 1 euro, Ekonomi: Kontribut real në ekonomi dhe punësim
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi dhe pronari i kompanisë Rozafa shpk. Gjergj Luca, firmosën të enjten në Tiranë, kontratën e qerasë me tarifën simbolike 1 euro, për një sipërfaqe prej 52 514 metra katrorë truall shtetëror, në Labinot, Elbasan, ku do të investohet prej kësaj kompanie në mjediset e rrënuara ekzsituese duke i shndërruar në fabrika për përpunimin e peshkut.
Ministrja Ekonomi u shpreh se dikasteri që ajo drejton ka në prioritetin e vet që të gjitha pronat që janë shtetërore, të lëna diku në harresë, diku jo mirë të administruara, të rikthehen dhe të vitalizohen, duke i dhënë mbështetje sipërmarrjes.
“Kontrata që nënshkruam sot është një kontratë e re, me tarifën simbolike 1 euro kontrata, në fushën e përpunimit të peshkut, por aktiviteti ekonomik do të jetë në disa nën sektorë të përpunimit” tha Ministrja Ekonomi, duke shtuar se formalizimi i sektorit të peshkimit gjithashtu ka dhënë rezultatet e veta. “Aktualisht sot kemi rreth 1000 njerëz që merren me peshkimin në det dhe ata gjenerojnë punësim në raportin 1 me 3 apo 1 me 4. Kështu që përpunues peshku në Shqipëri sot kemi rreth 3000-4000 persona që punojnë në këtë sektor” tha Ekonomi duke i uruar suksese më tej kompanisë Rozafa në rritjen e këtij sektori.
Aktiviteti i kompanisë do të fillojë jo me vonë se një muaj pas hyrjes në fuqi të kontratës së qirasë. Shoqëria merr përsipër që pas marrjes në dorëzim të objektit, dhe nxjerrjes së lejeve përkatëse për punimet të investojë në total 86 662 656 lekë, i cili do të përfundojë brenda vitit 2019. Gjithashtu, shoqëria merr përsipër që, në fund të vitit 2019, në këtë ambient do të punësohen rreth 130 punonjës. Ky numër do të rritet edhe më shumë, gjithmonë në funksion të ecurisë së projektit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka lidhur gjithsej 21 Kontrata 1/euro ku 11 Kontrata janë Fason, 10 Kontrata përpunim aktiv i mallrave.




