Tirana do të ketë për herë të parë një teknologji të re, për grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve. Në disa zona të kryeqytetit mbeturinat nuk do të hidhen më në kosha, por në kontenierë nëntokësorë. Teknologjinë e re e prezantoi kryetari i bashkisë Erion Veliaj së bashku me ambasadorin italian në Tiranë, në ditën mjedisit.

 

Krijimi i “Eco Tirana”, një bashkëpunim midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës, e më vonë edhe Viçencës, është një nga historitë e suksesit në menaxhimin publik. “Historia më e madhe e suksesit në menaxhimin publik ishte partneriteti që bëmë me Veronën. Tani na është bashkuar edhe Bashkia e Viçencës. Në fillim pati kundërshti, dikush shkruante në portale se ‘po na marrin punën’, por qartazi tani puna bëhet më mirë dhe më lirë”, tha Veliaj.

 

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të zbatojnë nismën e re.

 

“Duam që kazanët të jenë nën tokë, që të mos zënë sipërfaqe mbi rrugë. Por, na duhet të mësohemi si t’i përdorim dhe të sigurohemi që kazanët e mbyllur, nën tokë, nuk janë si pika ku ti thjesht e lë qesen tek koka e kazanit. Për këtë do të ketë edhe trajnues vullnetarë nga Eco Tirana në secilat nga pikat e pilotimit. I uroj shumë sukses Eco Tiranës sepse ka sjellë një risi në pastrimin e rrugëve dhe shesheve tona, sidomos duke filluar nga zona rreth Unazës së Vogël, pastaj me zonën e Bllokut dhe eventualisht kudo tjetër”,- tha Veliaj.

 

Për ambasadorin italian, kjo teknologji do të ndikojë në uljen e ndotjes në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *