Për 5 ditë me radhë, skena e teatrit “Migjeni” në Shkodër u kthye në mikpritësen e artistëve nga të gjitha trojet shqipfolëse, Europa dhe Amerika e Largët, që ju bashkuan edicionit të 24 të konkursit ndërkombëtar për të rinjtë në fushën e muzikës klasike .
Performancat artistike nga më të vegjlit e moshës 7 vjeçare, e deri tek kategoria e të rriturve në: piano, harqe, kitarë, fizarmonikë dhe kanto, u mbyllën me shpalljen e çmimeve, ku 13 vjeçari Gabriel Darragjati, lindur dhe rritur në Pensilvani SHBA, mori çmimin e parë në piano.
Mes emocioneve, në pak fjalë të shprehura në Anglisht, ai nuk e fsheh lumturinë e këtij çmimi.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe nuk e prisja këtë çmim, dua të falënderoj mësuesen time, mamanë dhe të gjithë që me vlerësuan”, u shpreh ai.
Për organizatorët kjo ngjarje artistike e përmbushi më së miri misionin, ku në dy dekada e gjysmë, ka treguar seriozitet, pjekuri dhe nivel artistik.
“Një festival shumë serioz dhe i organizuar në mënyrë perfekte. Juria ka punuar në mënyre profesionale. Çdo garë ka vështirësitë e veta, e duke parë këto muzikantë shumë të mirë, vendimet u bënë me të vështira për ne, por ishim të gjithë njëzëri kur vendosëm fituesit”.
Çmimi i dytë shkoi për Krisa Gjikën në kanto, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Sibora Resyli në violinë.





