Subscribe

Pa kaluar 24 orë, nga rritja e fundit, Bordi i Transparencës është mbledhur sërish, këtë radhë për të ulur lehtë çmimet në treg.

 

Nga kjo pasdite një litër naftë do të shitet me 206 lekë, nga 210 që u vendos dje. Sipas  përllogaritjeve të bordit, benzina do të ulet me 1 lekë për litër, duke u tregtuar me 191lekë. I pandryshuar ka mbetur çmimi i gazit nga një ditë më parë.

 

Shpesh herë bordi i transparencës është bërë qesharak në vendimet e tij, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në përputhje me kohën se kur kanë ndryshuar në bursa. Edhe autoriteti i konkurrencës për herë të parë ka dalë në konkluzionin se bordet janë një mekanizëm i dëmshëm në treg. Në një raport të fundit, ky autoritet thotë se çmimet e fiksuara çorientojnë konsumatorët dhe dëmton konkurrencën.

 

 “Në një situatë normale, çmimet e rekomanduara, ashtu si edhe ato të fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë. Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasoje e transparencës dhe mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit. Çmimet e fiksuara janë instrumente rregullatorë, por që kanë efekt për konkurrencën dhe reduktojnë përfitimet e konsumatorëve që janë rezultat i konkurrencës së tregut. Gjithashtu çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive”-thuhet në raport.

 

Në një hetim të kryer në tregun e hidrokarbureve, autoriteti konkurrencës evidenton se çmimet në treg rritet në mënyrë të menjëhershme, apo si raketë, ndërsa tendenca e tyre për ulje, reflektohet ngadalë ose si pupël. Që nga koha e funksionimit të tij, bordi përcakton çmime tavan, por asnjë prej kompanive të mëdha në treg nuk aplikon çmim më të ulët se ai i bordit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *